Rexhep Taip Erdogan merr një goditje të rëndë në zgjedhjet lokale të së dielës në Turqi. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit turk, humbi kryeqytetin Ankaranë dhe dyshohet se mund të ketë humbur edhe Stambollin.

Frika e Erdogan se gara në Stamboll do të ishte e ashpër, rezultoi e vërtetë. Pavarësisht se presidenti kandidoi me një figurë të fortë në qytetin më të madh të vendit, krahun e tij të djathtë Binali Jëlldërëm, sondazhet paraprake flasin për një epërsi të lehtë të kandidatit republikan.

Mediat turke raportojnë se në Ankara fitues u shpall kandidati republikan i Partisë Popullore Mansur Javas.

Më shumë se 57 milionë persona votuan në mbarë vendin për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj. Në rang kombëtar, AKP e Erdogan mësohet të ketë marrë rreth 51 % të votave, por tkurrja e mbështetjes ndaj liderit turk është e dukshme.

Votimi i së dielës u shoqërua me tensione. 2 persona u vranë dhe 1 tjetër u plagos në një qendër votimi në provincën e Malatjasë në juglindje të Turqisë. Viktimat ishin mbështetës opozitës, të cilët dyshohet se u qëlluan nga përfaqësues të partisë së presidentit Erdogan që ushtronin presion ndaj votuesve.

Zgjedhjet lokale këtë vit, u panë si një referendum popullor ndaj regjimit 16- vjeçar të Erdogan dhe reagim ndaj krizës ekonomike që ka mbërthyer Turqinë.

Tv Klan