“Familjet e Durrësit dhe Thumanës do strehohen në Tiranë”

Kryebashkiaku i Tiranës ka falenderuar forcat e zjarrfikëses që kanë udhëhequr operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit të së martës që u mori jetën e 51 personave dhe la qindra të tjerë të plagosur.

Veliaj falenderoi në mënyrë të veçantë shefin e repartit zjarrfikës në zonën e Institutit Arben Carën që humbi 6 familjarët e tij në Thumanë.

“Dua t’i jap ngushëllimet mikut tonë, Arbenit, që humbi të afërmit e vet në Thumanë. Dy herë më e vështirë, të qenit i fokusuar si uniformë e shtetit dhe qytetit tonë për të shërbyer, edhe si familjar i prekur. Gjithë lutjet tona, zemrat tona janë me ty miku im në këtë moment të vështirë”.

Veliaj u shpreh se shumë familje të prekura nga tërmeti në Durrës dhe Thumanë do të strehohen në kryeqytet.

“Ne kemi rezervuar për të gjitha familjet e Thumanës dhe të Durrësit apartamente në Tiranë. E kuptoj fare mirë që për të gjithë të mbijetuarit, qoftë edhe largimi fizik nga vendi i fatkeqësisë, është një lloj terapie, vetëm të qenit në një distancë tjetër, larg vendit ku ndodhi tragjedia”.

Në fund Veliaj u shpreh se Bashkia e Tiranës dhe në mënyrë të veçantë forcat zjarrfikëse do të jenë në gatishmëri të plotë deri në festat e fundvitit.

Tv Klan