Ervin Bushati nën hetim nga SPAK, Rama: PS-ja nuk bëhet mburojë e askujt



Ervin Bushati nën hetim nga SPAK, Rama: PS-ja nuk bëhet mburojë e askujt

12:36 17/11/2020

Kryeministri Edi Rama tha se Partia Socialiste nuk do të bëhet mburojë e askujt, duke iu referuar hetimeve që SPAK ka nisur për deputetin Ervin Bushati.

“PS-ja ka një ndryshim të madh nga partia e Syrit dhe partitë e tjera që mendojnë për sy e për faqe. PS-ja është një parti që i ka shumë të qarta dhe i ka të ndara punët. Qëllimi është i përbashkët, përgjegjësia është individuale. PS-ja as është bërë dhe as do të bëhet mburojë e dikujt që duhet që me përgjegjësinë individuale do të duhet të përballet me çdo akuzë, me çdo hetim, me çdo procedim. Kështu që mos kini asnjë merak në këtë aspekt. Gjërat janë shumë të qarta mes nesh. Kur dikush merr detyrën në PS e di shumë mirë që qëllimi është i përbashkët, përgjegjësia është individuale dhe për çdo kapërcim të vijës ndarëse mes qëllimit tonë të përbashkët dhe interesave personale kur ky kapërcim shkel interesin e përbashkët secili përgjigjet vetë”, tha Rama.

Kryeministri tha se heqja e Bushatit nga postet që mban në selinë rozë është një vendim që i takon partisë ta diskutojë dhe jo mediave.

“Sa i përket pastaj asaj veshjes apo zhveshjes të zotit Bushati apo çdo zotërie tjetër, kjo është një çështje që nuk i takon Syrit, por familjes sonë politike dhe e dimë ne kur e bëjmë këtë proces në raport me qytetarët. Mos kini asnjë merak për PS-në”, tha Rama.

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka nisur hetimet për deputetin socialist Ervin Bushati për  dy vepra penale, atë të fshehjes dhe mosdeklarim të pasurisë dhe falsifikim të dokumenteve./tvklan.al






Të ngjashme