Shqipëria do të luajë ndaj kampiones së botës në fuqi Francës në kualifikueset e Euro 2020. Shorti i hedhur të dielën në Dublin i vendosi kuqezinjtë në një grup me 6 skuadra, që nuk pritet të jetë i lehtë. Përfaqësuesja e drejtuar nga Didie Deshamps ishte përballë Shqipërisë edhe në finalet e Euro 2016, debutimi i kuqezinjve në një turne madhor.

Kundërshtarët e tjerë i kemi patur edhe më parë në sfida eliminatore si Islanda, Turqia dhe Moldavia. I vetmi ekip që kemi zhvilluar vetëm miqësore është Andorra.

Për Kosovën debutuese në kualifikueset e Europianit, shorti rezervoi një grup me 5 ekipe. Kundërshtart janë Anglia, Çekia, Bullgaria dhe Mali i Zi. Dardanët kanë edhe një mundësi nga Play Off i Ligës së Kombeve. Sa u takon grupeve të tjera, ai C paraqitet si më i vështirë ku Holanda dhe Gjermania do të kenë kundërshtarë Irlandën e Veriut, Estoninë e Bjellorusinë.

Kualifikueset e Euro 2020 do të mbahen vitin e ardhshëm mes muajit Mars dhe Nëntor. Dy vendet e para të secilit grup kalojnë në finalet e Europianit që do të mbahet në 13 qytete të ndryshme të kontinentit me finalen që do të luhet në Londër.

Tv Klan