Portugali – Francë do të jetë një tjetër çerekfinale e Euro 2024. Në “Frankfurt Arena”, ishte një ndeshje me shumë emocione ajo mes ekipit të Cristiano Ronaldo dhe Sllovenisë. Me shumë raste dhe lojë intensive, 90-minutëshi i kohës së rregullt përfundoi pa gola. Ronaldo vetë pati disa mundësi, por fati dhe portieri Oblak i ndaluan golin portugezëve.

Në pjesën e dytë në minutën e 61’, Sesko shpërdori një mundësi të mirë për t’i dhënë avantazhin Sllovenisë në një kundërsulm. Dramatike ishte minuta e 89 kur përballë portierit slloven, Ronaldo u tregua i pasaktë nga pika e 11-metërshit.

Humbja e kësaj mundësie rëndoi aq shumë tek sulmuesi, i cili nuk mundi ta përmbante dëshpërimin. Në shtesa, ritmi i lojës nuk ra, madje në të 115’, Seshko pati rastin e artë për të shënuar, por Diogo Costa ndali goditjen e tij.

E ndërsa Jan Oblak ishte hero me pritjet e tij gjatë ndeshjes, në goditjen e penalltive, skenën ia vodhi portieri i Portugalisë që priti 3 goditje të sllovenëve.

Portugalia kaloi në çerekfinale, ku do të përballet me Francën që fitoi 1-0 me Belgjikën. U shënua si autogol i Vertongen, por topi u devijua nga mbrojtësi i Belgjikës, pas goditjes brenda zonës nga Kolo Muani.

Tv Klan