Banka e Shqipërisë ka blerë 257.95 milionë Euro në tregun e brendshëm për 9 muajt e parë të vitit, ku më shumë se gjysma e tyre kanë qënë ndërhyrje për të rregulluar kursin e këmbimit valutor.

Në raportin e publikuar nga Banka Qendrore për ndërhyrjet në tregun e parasë, rezulton se 221.25 milionë Euro kanë shkuar për të ndalur rënien e monedhës europiane për muajt Qershor, Korrik dhe Gusht, dhe pjesa tjetër 36.7 milionë kanë qënë blerje për të rritur rezervën valutore.

Në këtë periudhë, vlera në treg e Euros varioi nga 124 në 126 Lekë, por pavarësisht këtyre operacioneve të bankës qëndrore, mbiçmimi në treg i Lekut nuk është ndalur.

Aktualisht 1 Euro këmbëhet me 123.4 Lekë, por më herët gjatë javës rënia e saj u thellua në 122.5, duke arritur dhe rekordet më të ulta të shënuara në 10 vitet e fundit.

Banka e Shqipërisë nuk ka marrë ende një vendim për të ndërprerë programin e saj të ndërhyrjeve në kursin e këmbimit, por veprimet e saj do të orientohen nëse dobësimi i monedhës europiane do të ndikojë në nivelin e inflacionit. Burime për televizionin Klan bëjnë me dije se programi i blerjes së Euros do të jetë sërish aktiv nëse vlera e saj shkon nën 120 Lekë.

Vetëm gjatë dy viteve të fundit, monedha europiane është dobësuar me 15%, duke prekur sektorin e prodhuesve dhe eksportuesve në vend.

Tv Klan