Vende si Spanja, Italia, Qipro, Greqia  dhe Turqia do të kenë çekuilibrimin më të madh të furnizimit me ujë në Evropë në tre dekadat e ardhshme. Një studim i Qendrës së Përbashkët Kërkimore (JRC) të Komisionit Evropian parashikon rritje të thatësirës në këto vende.

Sipas këtij hulumtimi, jugu i Europës do të vuajë pasojat negative edhe në sektorin energjetik e atë bujqësor.

Duke u bazuar te Marrëveshja e Parisit mbi Klimën që ka si synim kontrollin e temperaturës globale në më pak se 2 gradë Celcius, shkencëtarët shmangin pesimizmin, por këshillojnë masa të menjëhershme për menaxhimin e ujit.

Vendi që pritet të pësojë thatësirën më të madhe është Greqia, që llogaritet të humbasë mbi 800 milionë metër kub ujë në vit si pasojë e këtij fenomeni.

Ulja e sasive të ujit për vaditje do të godasë edhe prodhimet bujqësore në Spanjë e Portugali. Por kriza e ujit nuk do të prekë  vendet e Evropës Qendrore e Veriore, të cilat do të përballen me përmbytje të mëdha.  Duke marrë parasysh këtë kërcënim, parandalimi dhe kontrolli i përmbytjeve mbetet një sfidë jetike për të gjithë kontinentin.

Tv Klan