Man UTD kualifikohet në shtesa

Inter dhe Manchester United u kualifikuan për në gjysmëfinalet e Europa League pas fitoreve respektive ndaj Bayer Leverkusen dhe Copenhagen. Zikaltrit shkëlqyen në ndeshjen e luajtur në Dyseldorf. Barella surprizoi të gjithë për mënyrën dhe kohën e goditjes në golin që zhbllokoi sfidën.

Me forcë dhe teknikë Romelo Lukaku iu imponua kundërshtarit duke shënuar golin e dytë për skuadrën e Antonio Conte. Goli i Havertz në pjesën e parë nuk mjaftoi për të lëkundur besimin e Inter tek kualifikimi.

“Skuadra tregoi vendosmëri dhe dëshirë të madhe për të fituar. Për mua është kënaqësia më e madhe kur shoh një skuadër të tillë. Jemi përgatitur të shkojmë deri në fund. Kërkojmë maksimumin nga ky kompeticion”, tha Conte.

Inter do të përballet me fituesen e çiftit Shakhtar Donetsk-Basel. Manchester United pati nevojë për kohën shtesë për t’u kualifikuar. Në minutën e 95 goli erdhi nga Bruno Fernandes me 11-metërsh.

“Është hera e tretë këtë sezon që jemi në gjysmëfinalet e një kompeticioni. Jam i kënaqur që kaluam. Merituam të fitonim sonte. Portieri i tyre ishte fantastik, deri i pabesueshëm. Na e bënë shumë të vështirë, por më në fund erdhi goli nga Fernandes që i godet edhe më mirë se unë penalltitë”, tha Soskjaer.

Manchester United pret të mësojë kundërshtarin e gjysmëfinaleve që do të dalë nga ndeshja Wolverhampton-Sevilla.

Tv Klan