Zgjedhjet për President në vitin 2002 duket se kishin kompiluar situatën politike në vend, ndaj dhe emisioni “Opinion” realizuar më 23 Maj 2002 kishte pikërisht këtë si temë diskutimi. Fatos Lubonja një ndër analistët më të njohur në vend ishte përballë gazetarit Blendi Fevziu dhe tha se në Shqipëri nuk shihen interesat e vendit, por interesat e personave dhe grupeve të caktuara. Mes  emrave si Rexhep Mejdani, Fatos Nano dhe Sabri Godo, Lubonja tha se do të votonte Godon pasi sipas tij ishte figurë që mund të krijonte kompromis.

“Unë mendoj se problemi i Presidentit është i lidhur ngushtë me një problem tjetër që është nëse duhet të ketë apo jo zgjedhje të parakohshme. Unë nuk i ndaj dot analizat që bëj nga njëra-tjetra. Nëse do më thoshin një emër se kush do të zgjidhet President nuk mund ta ndaj këtë nga pyetja tjetër që është një dilemë: “Duhet të ketë në Shqipëri zgjedhje të parakohshme apo jo?” Mendimi im është që Berisha me refuzimin e Presidentit konsensual duket se do që të krijojë një situatë që të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Do ishte mirë të kishte President konsensual, por duke qenë se në Shqipëri konsensusi është vështirë të gjendet atëherë ka edhe të tjera rregulla siç është kushtetuta. Nga një pikëpamje mendoj nëse debati është konsensual apo kushtetues. Opozita ka një pikë të fortë për mendimin tim që refuzon kushtetuesin, pavarësisht nëse zgjidhet apo jo nga kushtetuesi. Pika e fortë është Dushku. Opozita pretendon se në zgjidhje ka pasur një truk dhe se pa këtë truk nuk do të realizohej numri. Pra një President, i cili zgjidhet nga kjo maxhorancë është jo legjitim. Kërkesa për të qenë konsensual është një kërkesë që mund të zgjidhë problemin me manipulimin në zonën e Dushkut. Mirëpo nuk kemi një gjë të qartë: “Berisha vërtetë kërkon një president konsensual apo kërkon të shkojë në zgjedhje?” Mendimi im është që ai kërkon të refuzojë çfarëdolloj Presidenti në mënyrë që të shkojë në zgjedhje. Ndoshta është edhe legjitime, por unë mendoj se edhe nëse do që të shkojë në zgjedhje nuk është ndonjë taktikë e hapur. Duket sikur loja e Presidentit është për të çuar vendin në zgjedhje ndërkohë që mund të thotë hapur që opozita është për zgjedhje. Rexhep Mejdani, i cili është treguar i gatshëm për të rikandiduar ka si meritë kryesore seriozitetin në punë, por nga ana tjetër nuk ka qenë shumë aktiv. Fatos Nano është nga ato që ka luftuar dhe po lufton vetë për postin e Presidentit me lojëra krejt personale që nuk janë në favor të vendit, ndryshe nga Mejdani, të cilit i është dhuruar ky post. Nëse do zgjidhja mes të dyve do të zgjidhja Mejdanin. Kur bëhet fjalë për Sabri Godon, ai është një figurë që mund të krijojë kompromisin , një lloj paqe për të dialoguar nuk do të hezitoja ta zgjidhja edhe në disfavor të Mejdanit. Por problemi është që në Shqipëri për fat të keq nuk janë parë interesat e vendit, por interesat e personave dhe grupeve të caktuara që do të thotë që mund të vijë një moment që grupe të caktuara deputetësh do kuptojnë se ata humbasin nga zgjedhjet e parakohshme”, tha Lubonja.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së televizionit Klan për vitet 1998-2012