Fëmija 14 vjeç, i ati nuk merr dot KEMP-in në bankë




Fëmija 14 vjeç, i ati nuk merr dot KEMP-in në bankë

21:12 01/07/2022

Aleksandër Çani, një qytetar nga Himara, ka kërkuar ndihmën e emisionit Stop në Tv Klan për problemin që ka marrjen e KEMP-it për djalin e tij autik. Ai tregon se nga viti 2015 e deri më sot djali trajtohet me KEMP 100 mijë Lekë të vjetra në muaj e po kaq merr edhe i ati si kujdestar.

Por prej një viti i kalon KEMP-i në llogari dhe Aleksandri nuk mund ta tërheqë, pasi fëmija ka mbushur moshën 14 vjeç dhe banka nuk ia jep më të atit.

Aleksandër Çani: Unë jam prind i një fëmije që vuan nga autizmi, është diagnostikuar që në vitin 2015, trajtohet me KEMP. Ai përfiton 100 mijë Lekë në muaj. Po aq edhe unë si prind dhe si kujdestar i tij. Nga 2015 deri më sot trajtohet me KEMP. Prej 1 viti unë nuk tërheq dot në llogarinë e çunit sepse djali është bërë 14 vjeç dhe mua si kujdestar më hiqet e drejta për të tërhequr në llogarinë e tij. E kuptova këtë problem kur KEMP-i kalonte lekët në llogari por unë nuk i tërhiqja dot. U drejtova te banka në Himarë dhe më thanë që është e pamundur. Ka rreth 1 vit që llogaria është e bllokuar.

“Stop” iu drejtua Zyrës Ligjore “Jurisprudenca”,  dhe avokatja Orgesa Serani premton që me shpenzimet e zyrës, të ndjekë rastin e qytetarit. Ajo thotë se ka përgatitur një  kërkesë për njohjen e kujdestarisë dhe do ta mbrojë çështjen në gjykatë.

Avokatja Orgesa Serani: Pasi studio ligjore “Jurisprudenca” u njoh me rastin e ardhur nga emisioni Stop ka vendosur të ndjekë çështjen e qytetarit Aleksandër Çani. Duke qenë se është një rast në nevojë dhe me një fëmijë të sëmurë, nuk ka mundësi ekonomike për të ndjekur këtë çështje, kemi vendosur që me të gjitha shpenzimet tona të ndjekim këtë çështje. Fillimisht nga ana jonë është përgatitur kërkesa me qëllim depozitimin e saj në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe më pas vijimi i procedurave duke u paraqitur edhe ne në gjykatë si përfaqësues të tij ligjor.

Kërkesa u depozitua në Gjykatën e Vlorës dhe pas hedhjes së shortit do të përzgjidhet gjyqtari e më pas do të caktohet data e çështjes. /tvklan.al










Të ngjashme