Disa aktivistë protestuan kundër vrasjes së grave

Tapeti i kuq i Festivalit të Filmit në Kanë është rikthyer sërish në një shesh protestash duke përjetuar incidentin e dytë brenda pak ditëve.

Gjatë premierës së filmit thriller “Holy Spider”, disa vajza dhe gra protestuan teksa mbanin në duar pajisje të cilat lëshonin tym të zi. Ato mbanin një pankartë me emrat e 129 viktimave që nga Festivali i fundit i Kanës, një referencë e dukshme për numrin e vrasjeve në familje në Francë.

Kjo është protesta e dytë që zhvillohet në Kanë këtë javë. Kujtojmë se në premierën e filmit “Three Thousand Years Of Longing” me regji të George Miller një grua u shfaq nudo, për të protestuar kundër dhunës seksuale gjatë luftës në Ukrainë.

Protestat kanë qenë titujt kryesorë të festivalit, i cili pret disa nga kineastët dhe aktorët kryesorë në botë.

Ngjarja e këtij viti pret shfaqjen e filmit  Top Gun të Tom Cruise dhe  filmin biografik të Elvis Presley nga Baz Luhrmann.

Klan News