Fillimi i fundit për Erdogan? – TV KLAN

Fillimi i fundit për Erdogan?

Si e komentojnë mediat e huaja humbjen e Stambollit

“Fillimi i fundit të Erdoganit” është titulli më i përdorur në mediat perëndimore që komentojnë disfatën e kandidatit të mbështetur prej tij në Stamboll. Një disfatë në atë që konsiderohet si kështjella politike e Rexhep Taip Erdoganit, qytetit ku ka nisur karrierën politike si kryebashkiak në vitin 1994 dhe ku kandidatët e mbështetur prej tij kanë qeverisur për 25 vite me radhë.

Në një analizë të BBC-së, thuhet se kjo humbje ka shumë rëndësi edhe pse bëhet fjalë për zgjedhje lokale. Erdogani e ndërtoi karrierën politike çerekshekullore tek përshtypja e fitimtarit dhe e pathyeshmërisë. Kontribut këtu ka pikërisht qyteti i tij i lindjes, ku nuk i kishte humbur zgjedhjet asnjëherë dhe ku vetë ai thoshte “Nëse fiton Stambollin, ke fituar gjithë Turqinë”.

Për këtë, sipas BBC-së ai bëri edhe gabimin e madh me kontestimin e rezultatit të 31 Marsit. Duke akuzuar opozitën për manipulim zgjedhjesh, ai kërkoi rivotim kur diferenca mes kandidatëve ishte 0.2%. Pjesëmarrja ishte e njëjtë në të dy rastet, mbi 84%, por rezultati i kësaj të diele e thelloi diferencën e fituesit Ekrem Imamoglu në 9% kundrejt rivalit Binali Jëlldërëm, krahut të djathtë të Erdoganit, 800 mijë vota më shumë.

Fitorja e Stambollit por edhe e qyteteve të tjera të mëdha, e bën opozitën republikane të ndihet e aftë për të fituar në gjithë vendin, edhe pse zgjedhjet e përgjithshme pritet të mbahen pas 4 vitesh. Figura që do të mposhtë Erdoganin mund të jetë pikërisht, Ekrem Imamoglu, ai që po ecën drejt majave të politikës turke.

Tv Klan

Kategori
BotaLajmet KryesoreTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*