Në mbledhjen e Këshillit Tatimor u prezantua dhe u diskutua draft Strategjia Afatmesme e të Ardhurave 2024-2027, në kuadër të konsultimit publik.

Ministri i Financave, Petrit Malaj theksoi faktin se strategjia nuk parashikon ndryshim të normave tatimore, ndërsa ka si objektiv kryesor rritjen e nivelit të mbledhjes së të ardhurave.

Petrit Malaj, Ministër i Financave: Nëpërmjet kësaj strategjie ne parashikojmë rritjen e të ardhurave me rreth 65 miliardë Lekë deri në fund të vitit 2027 ose 2.5 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto krahasuar me vitin 2019.

Ministri Malaj vuri në dukje se draft-strategjia ka në fokus edhe elemente që lidhen me informalitetin e tregut të punës dhe deklarimin e pagave.

Petrit Malaj, Ministër i Financave: Dixhitalizimi i plotë i sistemit të fiskalizimit, duke përfshirë edhe inteligjencën artificiale, në mënyrë që të rrisim deklarimet si dhe të ulim informalitetin. Normalisht nëpërmjet këtyre instrumenteve ne do të rrisim edhe profilizimin e riskut për tatimpaguesit, si dhe do të mundësohet investigimi i rasteve të shmangies tatimore qoftë kjo nga tatimpagues apo qoftë edhe nga individë.

Parashikimet e Ministrisë së Financave janë që rritja e të ardhurave tatimore të arrijë në 51 miliardë Lekë deri në fund të vitit 2027.

Klan News