Kryesia e Partisë Demokratike ka miratuar ngritjen e një auditi për lobimet ruse. Gazetarja e Tv Klan, Jolldiz Mitro raporton se kryetare e këtij auditi do të jetë Ledina Mandia.

Ndërkohë Florion Mima, Edmond Spaho, Enno Bozdo dhe Aldo Bumçi do të jenë pjesë e grupit të punës si anëtarë.

Një vendim i tillë ka ardhur pasi një raport i deklasifikuar nga inteligjenca amerikane, ka zbuluar se Partia Demokratike e Shqipërisë ka përfituar rreth 500,000 Dollarë financime ruse në zgjedhjet e vitit 2017.

Ditë më parë, ka qenë kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha i cili në një konferencë për mediat kërkoi rihapjen e hetimit për të bërë transparencë të plotë për këtë çështje edhe pse sipas tij, Basha ka marrë çdo provë apo dokumente nga selia blu para se të largohej.

Kryedemokrati theksoi se pasi të bëhet transparencë nga grupi i auditit, strukturat e PD do të mblidhen dhe do të vendosin për fatin e Lulzim Bashës në PD./tvklan.al