Veliaj: Një tjetër surprizë pas “Sunny Hill Festival”

Pas 3 netëve magjike të“Sunny Hill Festival” një tjetër surprizë është rezervuar për adhuruesit e muzikës metal në kryeqytet. Grupi i njohur nga finlanda “Apocalyptica” do të performojë këtë të hënë në Amfiteatrin e Liqenit. Pak ore para shfaqjes ata u pritën nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili u dhuroi edhe Kullën e Sahatit.

“Ju ftojmë të gjithëve tek Amfiteatri i Liqenit, një tjetër hapësirë e transformuar. Ajo që presim të shohim sot në Tiranë, bashkë me Eugent Bushpepaj dhe “Apocalyptica” është një shfaqje ku duam të festojmë Tiranën si Kryeqyteti Evropian i Rinisë”.

Kryebashkiaku vlerësoi raportet e mira që ekzistojnë mes Tiranës dhe Helsinkit.

“Unë besoj se në këto kohëra të vështira që jetojmë sot, kultura ka një rol shumë special. Kombet të afrohen, jo vetëm kur politikanët marrin disa vendime dhe bëjnë disa protokolle, por kur qytetarët, muzikantët, artistët shkëmbejnë me njeri-tjetrin”.

Pjesëtarët e grupit të njohur “Apocalyptica” garantuan të gjithë dashamirësit e muzikës se do të kalojnë një natë magjike.

Tv Klan