Raportuesi për Shqipërinë në parlamentin Europian, Knut Flekenshtejn nuk e fsheh optimizmin për një vendim pozitiv për hapjen e negociatave. Pas raportit të prezantuar në Komisionin e Punëve të Jashtme në Parlamentin Europian, diplomati gjerman nuk përjashton si opsion më të mundshëm hapjen e negociatave me kushte.

“Për mua më e rëndësishmja është që Këshilli të hapë negociatat, edhe pse mund të ketë disa kushte. Nuk e uroj një gjë të tillë, por ndoshta. Por kyçi është që vendimi përfundimtar të mos të kthehet sërish në Këshill. Nëse Komisioni duhet të raportojë sërish në Këshillin e ministrave, atëherë kjo do të thotë që negociatat nuk do të mund të konsiderohen ende të hapura.”

I bindur duket edhe për vendimin e Gjermanisë në favor të Shqipërisë.

“Jam i bindur që së bashku me David Mcallister ne e kemi bindur Bundestagun edhe pse i përkasim grupimeve të ndryshme politike, në shkuam si vëllezër me një qëndrim në Berlin.”

Ajo që e shqetëson thotë se është qëndrimi i disa prej vendeve skeptike.

“Dje fola edhe me disa kolegë të partisë popullore europiane. Ata mendojnë, se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave, por nga ana tjetër, asgjë s’është e sigurt deri sa të merret vendimi përfundimtar. Kjo pasi shtetet anëtare tentojnë të gjejnë kompromise, nëse disa prej tyre kanë rezerva në këtë drejtim. Nuk jam naiv. Jam i informuar se ç’ndodh në prapaskenë dhe shoh që ka shtete anëtare që nuk e kanë shumë për zemër që të japin dritën jeshile tani.”

Arsyet thotë se qëndrojnë tek problematika me të cilën përballet Shqipëria në luftën kundër krimit e korrupsionit.

“Ka probleme me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Edhe Reforma në Drejtësi është në zbatim e sipër, por nuk është zbatuar gjithçka. Pra, ka kaq shumë punë përpara. Duhet të përqendrohemi te çështja e pronës, tek rritja ekonomike, punësimi dhe shumë kritere të tjera. Por parakushtet për hapjen e negociatave janë përmbushur dhe ky është qëndrimi i pothuajse të gjitha grupimeve politike në Parlamentin Europian dhe Komisionit Europian.”

Vendimi përfundimtar për Shqipërinë pritet të jepet në fund të Qershorit nga Këshilli i vendeve anëtare të Bashkimit Europian.

Tv Klan