Miratohet rishikimi i pestë dhe i gjashtë i marrëveshjes së Fondit Monetar Ndërkombëtar me qeverinë shqiptare, që i hap rrugë disbursimit të këstit të kredisë prej 72.4 milionë euro.

Kjo shumë është pjesë e marrëveshjes tre vjeçare të bashkëpunimit, të nënshkruar në 2014 – ën, mes Shqipërisë dhe FMN, për marjen e një kredie prej afro 330 milionë euro. Në total, deri më tani, shuma e disbursuar është rreth 226 mln euro.

Këtë aprovim Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka shoqëruar edhe me disa kërkesa drejtuar qeverisë shqiptare. Në njoftimin e publikuar  thuhet se rimëkëmbja ekonomike e Shqipërisë është në progres, por rreziqet janë të pranishme.

FMN thotë se qëllimi i autoriteteve për konsolidimin e vazhdueshëm fiskal, me një strategji të bazuar në zgjerimin e bazës tatimore është i duhuri, por kërkohet të reduktojë mbështetjen në masat e përkohshme dhe të shmangë përjashtimet fiskale apo vendosjen e normave preferenciale.

Teksa i vlerëson masat që po ndërmerren nga qeveria shqiptare, për të trajtuar rreziqet fiskale, përfshirë edhe forcimin e menaxhimit financiar publik, FMN thekson se do të jetë e rëndësishme të forcohen kapacitetet për zbatimin e projekteve të investimeve publike dhe të garantohet se çdo projekt i ri, Partneritet Publik Privat në llogaritë fiskale po vlerësohet në mënyrë transparente dhe në përputhje me normat ndërkombëtare.

Tv Klan