FMN: Risqet për ekonominë në rritje bashkë me valën e pandemisë



FMN: Risqet për ekonominë në rritje bashkë me valën e pandemisë

16:42 01/12/2020

“Fondet publike të rindërtimit të mirëmenaxhohen dhe kontrollohen”

Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se ekonomia e Shqipërisë vazhdon të jetë e ndikuar nga efektet e pandemisë dhe tërmetit, ndërsa rreziqet po shtohen bashkë me përhapjen e zinxhirit të infektimeve me COVID.

Në një deklaratë të Bordit të Drejtorëve mbi Programin e Monitorimit të Shqipërisë, kërkohet kujdes me shpenzimet publike, ku duhet të mendohet edhe një skenar negativ që mund të kërcënojë muajt e ardhshëm financat publike.

Autoritetet duhet të pezullojnë shpenzimet jo prioritare në mënyrë që të krijojnë vend për mbështetjen e kujdesit shëndetësor dhe social të shtresave më vunerabël, si dhe të ruajnë një shumë të konsiderueshme kontigjence për sa kohë që risqet janë në rritje. Borxhi publik i rritur, nevojat e mëdha për financim dhe rritja e risqeve fiskale dhe një rritje e mundshme e kredive me probleme, po ashtu paraqesin sfida”.

Bordi i drejtorëve të FMN-së insiston në mirëmenaxhimin e fondeve publike të rindërtimit.

Stafi theksoi se fondet e rindërtimit pas tërmetit duhet t’u nënshtrohen kontrolleve dhe standardeve të mirëmenaxhimit duke përfshirë dhe planifikimin e tyre në buxhet. Është e rëndësishme për të siguruar procedura të sakta prokurimi, kontroll të fortë, monitorim adekuat, raportim periodik dhe kontroll nga auditues të pavarur, duke përfshirë edhe publikimin e pronarëve përfitues të kontratave të prokurimit”.

FMN shprehet kundër edhe heqjes së përhershme të tatimit mbi fitimin mbi biznesin e vogël dhe përjashtimet e një pjese të bizneseve nga TVSH.

Disa përjashtime fiskale që janë prezantuar së fundi dobësojnë bazën e tatueshme. Stafi thekson se këto duhet të jenë të përkohshme në përputhje me emergjencën”.

Fondi thotë se pavarësisht goditjeve të pandemisë dhe tërmetit Shqipëria sërish arriti të mbajë stabilitetin makroekonomik, edhe pse borxhi në fund të këtij viti arrin në 81.9% të PBB-së dhe ekonomia pritet të tkurret me 7.5%. Megjithatë kërkohet kujdes në shpenzimet publike, pasi nëse situata përkeqësohet borxhi mund të arrijë në 88% të prodhimit kombëtar.

Tv Klan







Të ngjashme