Gjysmëfinalja e parë e këtij botërori është Francë – Belgjikë. Përfaqësuesja belge befasoi Brazilin, duke e mundur me rezultatin 2 – 1 në sfidën e luajtur në premten në Kazan.

Brazilianët edhe pse e nisën vrullshëm takimin u dorëzuan përballë belgëve. Fernandinho shkaktoi autogol në minutën e 13’. Avantazhi i motivoi akoma më shumë futbollistët e Belgjikës dhe në të 31’ ishte De Bruyne, i cili realizoi në portën e Allison.

Mbrojtja belge dhe portieri Courtois nuk lejuan gol për 76 minuta lojë. Renato Augusto, i cili hyri në fushë si zëvendësues shënoi për Brazilin, por kjo nuk mjaftoi me Seleçaon. Rastet e tjera nuk sollën ndryshim të rezultatit.

Franca kaloi edhe pengesën Uruguaj, që nuk kishte Cavani në fushë, duke e mundur me rezultatin 2 – 0 në takimin e luajtur në Nizhni Novgorod. Varane shënoi në fundin e pjesës së parë. Përpara se ekipet të shkonin drejt dhomave të zhveshjes për pushimin, Caseres pati një mundësi të mirë për të barazuar, por Lloris u tregua i vëmendshëm. Goli i dytë u realizua nga Griezmann. Goditja e tij u ndihmua edhe nga gafa e portierit Muslera. Gjysmëfinalja Francë – Belgjikë do të luhet më 10 korrik në Shën Peterburg. Diçka është e sigurt trofeu do të mbetet në Europë, pasi kanë mbetur vetëm përfaqësuese të zonës UEFA.

Tv Klan