Pezullimi me një javë i të gjitha aktiviteteve futbollistike në vend për shkak të dhunës detyroi Federatën e Futbollit që të bëjë modifikime në kalendarin e zhvillimit të ndeshjeve si në Superligë ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë. Sektori i Garave në FSHF vendosi që ndeshjet e kthimit për çerekfinalet e Kupës të spostohen nga data 27 Mars më 3 Prill.

Nuk ndryshojnë datat e zhvillimit të gjysmëfinaleve. Sipas programit do të luhen me 24 Prill dhe 8 Maj, ndërsa është shtyrë finalja. E parashikuar për tu luajtur me 30 maj, kjo ndeshje do të luhet më 2 Qershor.

Më herët do të ketë përfunduar edhe sezoni futbollistik. Ndryshim ka pësuar vetëm java e fundit e cila ishte në plan për tu luajtur më 25 Maj. Pavarësisht se kur do ta sigurojë matematikisht titullin skuadra kampione për këtë sezon do të kurorëzohet me 29 Maj.

Fundjavën e shkuar, në Shqipëri nuk u luajt asnjë ndeshje futbolli për shkak të bojkotit të arbitrave në shenjë proteste ndaj dhunës së ushtruar ndaj tyre dhe me kërkesën për rikthimin e policisë në brendësi të stadiumeve.

Tv Klan