Pas 4 mujash negociata, prodhuesit e bukës kanë arritur të gjejnë një zgjidhje me Operatorin e Shpërndajres së Energjisë dhe Entin Rregullator. Në Prill ata kërcënuan që do të rrisin çmimin e bukës nëse OSHEE vazhdonte t’i faturonte me 14 Lekë për kilovat/orë dhe jo me 7.5 Lekë, sa është në metodologjinë e miratuar nga ERE.

Por pretendimet e OSHEE-së të mbështetura edhe nga Enti Rregullator ishin se jo të gjitha furrat prodhojnë dhe tregtojnë bukë. Tashmë është rënë dakord që energjia të matet me dy matësa të ndryshëm: një në ambientin e prodhimit dhe një në atë të shitjes.

Prodhuesit e bukës kërkojnë që instalimi i matësave të rinj të fillojë nga furrat që sot paguajnë 14 Lekë për kilovat/orë energji e më pas në ato që paguajnë me çmimin e reduktuar.

Disa ditë më parë ERE i propozoi si version final furrave të bukës që të pranonin vendosjen e dy matësave për faturimin e energjisë, përndryshe energjia nga këta prodhues do të paguhej 14 Lekë për kilovat/orë.

Tv Klan