Vihet në dyshim rifillimi i kampionateve

Tjetër panik në radhët e Fiorentinës dhe Sampdorias sa i përket prekjes nga Covid-19. Në Firence, nga rreth pesëdhjetë teste të kryera të mërkurën mes futbollistëve të ekipit të parë dhe stafit tekniko-shëndetësor, gjashtë rezultuan pozitiv me koronavirus: tre lojtarë dhe tre pjesëtarë të stafit. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur, por të gjithë janë asimptomatikë. Edhe te Sampdoria ka tre raste asimptomatikë me Covid-19. Mësohet se një prej tyre është infektuar për herë të dytë

Edhe në Spanjë situata nuk është me ngjyra optimiste. Pesë futbollistë nga La Liga kanë rezultuar pozitivë. Ky fakt ka dekurajuar organizatorët e garës për një datë rifillimi të futbollit në këtë vend. La Liga pret të gjitha rezultatet, para se të marrë një vendim final për fatin e kampionatit. Te Barcelona kanë rezultuar të gjithë negativë dhe Blaugranat të premten pasdite kanë nisur stërvitjen individuale në qendrën sportive Gamper. Edhe te Real Madrid duket se nuk ka asnjë rast pozitiv, por nuk ka një dalje publike.

Së fundmi trajneri i Leganes, Javier Aguirre, ka deklaruar se ndeshjet zyrtare do të rifillojnë më 20 Qershor dhe kampionati do të përfundojë më 26 Korrik, por drejtuesit e La Liga kanë përgënjeshtruar menjëherë këtë lajm.

Tv Klan