“Me 25 Prill, Elbasani do t’i prijë ndryshimit”

Gazment Bardhi është prezantuar këtë të shtunë si drejtues politik në qarkun e Elbasanit. Në një deklaratë të përcjellë nga Selia Blu, Bardhi thekson se më 25 Prill Elbasani do t’i prijë ndryshimit.

“Me 25 prill, Elbasani, Librazhdi, Përrenjasi, Gramshi, Belshi, Cerriku, Peqini, do të çlirohen nga këta pushtues. Është nderi më i madh që më është bërë të jem drejtuesi politik i fushatës në këtë qark, për Partinë Demokratike. Përgjegjësi po ashtu tejet e madhe. Sfidë që më mbush me energji dhe entuziazëm”.

“Me Partinë Demokratike, Elbasani do të fitojë vendin që i takon, do të dalë nga varfëria e do të gëzojë potencialin që e ka. Projektet e zhvillimit do të zëvendësojnë pazaret. Merita do të sjellë në krye më të mirët, më të zotët. Sundimi do të zëvendësohet me llogaridhënien ndaj qytetarëve. Këtu në zemër të Shqipërisë, “rilindja”, do të marrë një goditje të fortë”.

Sipas Bardhit, këto 8 vite Elbasani është shndërruar në provincën ku sipas tij sundon një bandë që grabit gjithçka.  

“Elbasani është ndoshta shembulli më emblematik që dëshmon se çfarë ka bërë ‘rilindja’ në 8 vite. Njerëzit me pushtet kanë përfituar gjithçka në këto dy mandate. Para, influencë, territor, dhe kanë sunduar me forcë mbi pjesën tjetër. Përpos se padrejtësi, është edhe fyerje. Elbasani i dijes, i urtësisë, i edukimit, i kontributit madhor në histori, të shndërrohet për 8 vite në provincën ku sundon një bandë që grabit gjithçka”. /tvklan.al