Kjo këngë shënoi startin e “Gjeniut të Vogël 3”, një mega produksion i Televizionit Klan, që nisi transmetimin e tij direkt në studion më të madhe të ndërtuar në historinë mediatike shqiptare, tashmë shtëpia më e re e talenteve të rinj shqiptare, Teatri i Televizionit Klan.

30 konkurrentë në një version të shkurtuar këngësh, në një interpretim Live, përcollën në natën e parë një atmosferë spaktakli plot ritëm, dinamike, ku nuk munguan edhe të papriturat e të kënduarit Live.

Më të mirët, të ndarë në katër skuadra, rrugëtojnë në një garë emocionesh të forta të ndërthuruara po aq me ethet e një kompeticioni të vërtetë, pasi të gjithë në çdo moment do të interpretojnë Live, guxim që shumë këngëtarë të njohur të skenës shqiptare nuk e kanë. 

Çdo skuader e drejtuar nga një personalitet artistik sjell në panelin e vlerësimit mjeshtrin e muzikës Robert Radoja, dy artiste te suksesshme të këngës, Nertila Koka dhe Alma Bektashi dhe një tjetër personazh të arteve pamore, Robert Aliaj. 

“Gjeniu i vogël”, një aventurë që do të zgjasë sa një semester shkolle, por një shkolle muzikore, duket i destinuar për të lënë gjurmë në kujtesën e këtyre fëmijëve. Dy pjesëmarrëse të këtij spektakli në edicionet e mëparshme, Kejsi Tola dhe Olta Boka prekën pak vite më pas skenën e Festivalit Europian të Këngës.

Mund të thuhet me bindje se skenografia e Gaetano Kastelit dhe ndriçimi nga Franko Ferrari u gjendën krejtësisht në funksion të këtij produksioni muzikor të realizuar me kujdes nga stafi artistik i “Gjeniut të Vogel”, nën skenarin e Pandi Laços, drejtimin artistik të Adi Hilës dhe regjinë e spektaklit nga Bledar Laço.

Zbulim i spektaklit ishte dhe prezantuesja Suela Demiri, e cila jo më nën kostumin e gazetares, me individualitetin e saj krijoi origjinalitet për edicionin e tretë të “Gjeniut të vogël”.

Jetë skenës i dhuroi edhe kori prej 60 fëmijësh i Qendrës Kombëtare të Kulturës, i drejtuar nga Xhavid Ujkani.

Interpretimi mjeshtëror Live i këngëve të njohura erdhi në këtë spektakël edhe me ngjyrat e një show të vërtetë, ku hera-herës fëmijët u shoqëruan edhe me kitare apo piano.

Formula e konkurrimit të fëmijëve, ku çdo skuadër drejtohet nga një pjesëtar i jurisë së vlerësimit, parashikon shumë kombinacione e variacione artistike në të ardhmen, që do t’i zbulojmë të shtunë pas të shtune, direkt në Televizionin Klan. 

TV Klan