Gjermania heq kufizimin e udhëtimeve nga Britania




Gjermania heq kufizimin e udhëtimeve nga Britania

12:24 06/07/2021

Në listë është edhe India, Portugalia dhe Rusia që më parë klasifikoheshin të rrezikshme nga varianti Delta

Instituti i Shëndetit Publik të Gjermanisë ka bërë të ditur se Mbretëria e Bashkuar, India, Nepali, Portugalia dhe Rusia nuk janë më zona shqetësuese ndaj variantit Delta. 

Vizitorëve që janë plotësisht të vaksinuar gjithashtu nuk do t’u kërkohet karantinë. Megjithatë, personave jo të vaksinuar do t’u kërkohet ende karantinë deri në 10 ditë, dhe nëse duan që karantinën ta përfundojnë më herët duhet të paraqesin një test negativ në ditën e pestë.

Pesë vendet ishin klasifikuar nga Instituti Robert Koch si zona të variantit të virusit për shkak të përhapjes së varianteve Delta dhe Delta Plus, të cilat u identifikuan për herë të parë në Indi.

Kancelarja Angela Merkel javën e kaluar gjatë vizitës që mbajti në Mbretërinë e Bashkuar deklaroi se  britanikët që kanë bërë dy vaksina COVID-19 së shpejti do të jenë në gjendje të udhëtojnë në Gjermani pa qenë nevoja që të bëjnë karantinë. 

Heqja e kufizimeve të Gjermanisë erdhi disa orë pasi Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson konfirmoi se vendi pret të heqë të gjitha rregullat e lidhura me Covid nga 19 Korriku. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar pritet gjithashtu të njoftojë planet për njerëzit e vaksinuar plotësisht për të udhëtuar në vendet si zonë jeshile ndaj COVID-19 pa pasur nevojë për karantinë gjatë kthimit të tyre.

Klan News











Të ngjashme