becchetti 8

Francesco Becchetti, pronari i “Agon Channel” humb një tjetër betejë me gjykatat shqiptare. Ka qenë Gjykata e Apelit e Tiranës, ajo që ka rrëzuar kërkesën e biznesmenit italian për ndryshimin e masës së sigurisë.

Nga arratia Becchetti kërkoi lirinë në këtë Gjykatë, por togat e zeza vendosën të lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, ‘arrest me burg’.

Prokuroria ka ngritur tre akuza për biznesmenin 49-vjecar.

E para, është ajo e pastrimit të parave. Dyshohet se italiani ka pastruar rreth 100 milionë euro në vendin tonë. Nga Italia, Luksemburgu dhe Austria dyshohet se kanë hyrë shuma të konsiderueshme parash përmes kompanive të Becchetti -t, pa justifikuar burimin e tyre.

Prokuroria ka dyshime se një pjesë të këtyre parave, ai i ka investuar në “Agon Channel”, për të cilin u shpreh dikur se kishte shpenzuar 40 milionë euro, pa marrë as edhe 1 cent kredi në bankë.

Veç pastrimit të parave, me skemën që kishte ngritur prej disa vitesh, ai do të hetohet edhe për vjedhje në shpërdorim të detyrës dhe krijimit të skemave mashtruese me qëllim përfitimi.

Prokuroria ka gjetur prova se pronari i “Agon Channel” ka vjedhur partnerët e tij në biznes. Një nga skemat dyshohet se është ajo që ai ka përdorur me “Deutsche Bank” për hidrocentralin e Kalivaçit.

Akuza tjetër për pronarin e “Agon Channel” është ajo e krijimit të skemave mashtruese me qëllim përfitimin.

Edhe për bashkëpunëtorin e ngushtë të Becchetti -t, Mauro De Renzis, Apeli vendosi arrestin me burg. Pavarësisht kërkesave të mbrojtjes, Gjykata gjeti fakte të cilat vërtetojnë akuzat e ngritura.

Mbi De Renzis, i shpallur në kërkim nga policia, Prokuroria ka ngritur zyrtarisht 4 akuza; vjedhje duke shpërdoruar detyrën, pastrim parash, mospagim taksash, si dhe mospagesën e detyrimeve doganore.

Tv Klan