Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gjykata ndërkombëtare për krimet e luftës në Hagë, konfirmojë arrestimin e Fatmir Limaj në Slloveni. Njoftimi i zyrës së prokurorëve në këtë gjykatë, përgënjeshtroi njoftimet e djeshme të mediave kosovare, sipas të cilave, Limaj ishte dorëzuar vullnetarisht.

Limaj deklaroi në linjë telefonike për Televizionin Koha Vizion, të Kosovës, se do të dorëzohej vullnetarisht dhe se ishte krenar për gjithçka që kishte bërë në të kaluarën për popullin e tij. Gjatë telefonatës Limaj i bëri thirrje kosovarëve, të ruanin qetësinë.

Fatmir Limaj:- Jam i gatshëm për të shkuar vullnetarisht  në Hagë, them vullnetarisht, për arsye sepse jam shumë i sigurt dhe jam shumë krenar për të gjithë të kaluarën time dhe veprimet e mija që kam ndërmarrë deri më sot dhe se me pyetjen tuaj çka do të ndryshojë, unë them, se dhe një milion herë ta kisha jetuar jetën që kam jetuar deri tani, as një sekondë nuk do ta ndryshoja, sepse jam i bindur që atë që kam bërë e kam bërë në shërbim të vendit tim dhe popullit tim”.

Por zyrtarë të Hagës thanë, se arrestimi është kryer në befasi dhe Limaj nuk ka rast të dorëzohet vetë, pasi një veprim i tillë bëhet duke njoftuar tek përfaqësuesit e tribunalit në Prishtinë apo në Hagë. Ndërsa Limaj u arrestua në Slloveni dhe është paraqitur para qykatës së qarkut në Kranjë.

Deputeti Limaj dhe njëkohësisht një nga udhëheqësit e PDK, akuzohet nga gjykata ndërkombëtare e Hagës, për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte që dyshohet të jenë kryer në Llapushnik gjatë 1998. Në akuzë thuhet gjithashtu, se Limaj si një ish-komandant i UÇK-së, ishte përgjegjës për operacionet e Llapushnikut./tvklan.al