Gjykata heq urdhrin e bllokimit të TikTok në SHBA


Gjykata heq urdhrin e bllokimit të TikTok në SHBA

09:48 28/09/2020

Një gjykatë amerikane ka rrëzuar përkohësisht vendimin e qeverisë së SHBA që urdhëronte bllokimin e shkarkimit në celularë të aplikacionit kinez TikTok.

Ky aplikacion do të hiqej nga App Store i Apple dhe nga Play Store i Android pasi qeveria amerikane kishte vendosur bllokimin e përdorimit të këtij aplikacioni.

Ata përdorues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që e kanë në celular, do të mund të vëzhdonin ta përdornin, por ata që nuk e kanë nuk do të kishin mundësi ta shkarkonin, sipas urdhrit të qeverisë.

Por ky urdhër u rrëzua përkohësisht nga gjyqtari Carl Nichols, i cili mori këtë vendim pasi kishte zhvilluar një seancë dëgjimore 90-minutëshe me palët.

TikTok e mirëpriti këtë vendim dhe u zotua se do të vazhdojë të mbrojë të drejtat e saj. Ndërsa, përfaqësuesit e qeverisë amerikane në seancë e cilësuan TikTok si një zëdhënëse të Partisë Komuniste të Kinës.

Presidenti amerikan Donald Trump e ka sulmuar shpeshherë aplikacionin kinez të videove TikTok, duke thënë se i shërben qeverisë së Kinës përmes të dhënave personale të përdoruesve. /tvklan.al



Të ngjashme