“Kelmend Balilit i është pranuar gjykimi i shkurtuar në seancën e parë të procesit gjyqësor që filloi në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Seanca e radhës u caktuan në datën 12 Mars, ditë kur prokuroria do të lexojë konkluzionet dhe të kërkohet masën e dënimit për atë që cilësohet si Eskobari i Ballkanit”. 

Seanca nisi me Prokurorin Ened Nakuçi që lexoi kërkesën për gjykim, i cili argumentoi ngritjen e 4 akuzave për 47-vjeçarin. Sipas akuzës është provuar nga hetimet që Balili ka kryer trafik droge, fshehje dhe pastrim parash si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Konkretisht ai akuzohet për trafikun me gomone të 678 kilogramëve kanabis nga Saranda në Greqi.

Vetë i pandehuri dhe avokati tij nuk thanë asgjë gjatë kësaj seance, pasi kërkesa e tyre u pranua.

Ky proces gjyqësor pritet të jetë një nga më të shkurtrit të zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Gjithçka ka ndodhur në 40 ditë. Në 15 Janar, Kelmend Balili u vetëdorëzua pas negociatave të kryera me Policinë e Shtetit. Në 17 Janar, ai doli për herë të parë në gjykatë për t’u njohur me masën e sigurisë dhe akuzat, duke i mohuar ato.

Vetëdorëzimi i tij përkoi edhe me dërgimin në gjykatë të dosjes nga ana e prokurorisë. Në 25 Janar u zhvillua seanca paraprake ku Kelmend Balili kërkoi gjykimin e shkurtuar dhe gjykatësja e seancës paraprake e kaloi dosjen për gjykim, duke e konsideruar të mbyllur hetimin e prokurorisë.

Këtë të hënë, treshja e gjyqtarëve të themelit vendosi të pranojë gjykimin e shkurtuar duke i lënë kohë prokurorisë dy javë me qëllim përgatitjen e pretencës. Nëse procesi nuk do ketë vonesa të tjera, vendimi për Kelmend Balilin pritet të merret brenda muajit Mars, nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Në rast dënimi, ai përfiton uljen me një të tretën, pasi ka pranuar gjykimin e shkurtuar, të drejtë të cilën ia jep ligji.

Tv Klan