Policia shqiptare dhe ajo italiane mbajtën një konferencë të përbashkët mbi fenomenin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Sipas tyre këtë vit kishte më shumë bimë të sekuestruara ndërsa pati rënie me 100% të lëndëve narkotike të kapura në brigjet italiane. Pas konferencës drejtori i policisë shqiptare foli dhe për testin e drogës së punonjësve.

Gledis Nano: Kemi evidentuar 848 vepra penale për kultivimin e bimëve narkotike, nga të cilat 736 janë raste kultivimi dhe 112 procedime proaktive. Janë implikuar në këtë veprimtari kriminale 668 shtetas nga të cilët 400 janë ndaluar apo arrestuar në flagrancë.

Sipas drejtorit të policisë së shtetit, Gledis Nano viti aktual ka patur rënie me 100% dhe zero kilogramë kanabis të kapur në brigjet italiane të dërguara nga Shqipëria.

Gledis Nano: Gjatë periudhës referuese bazuar në statistikat e kolegëve italianë, kemi një rënie të trafikimit drejt tyre me 100 %, nga 911 kg në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në zero gjatë këtij viti.

Nga ana tjetër autoritetet italiane e konsiderojnë të fituar betejën për parandalimin e kultivimit të kanabisit gjatë këtij viti, por kërkojnë nga pala shqiptare të gjurmojnë pasuritë kriminale.

Fabrizzio Bucci: Magjistrati Falcone përsëriste shpesh që për të goditur mafian duhet të ndjekim rrugën që ndjekin të ardhurat kriminale. Duhet të bashkëpunojmë ngushtësisht në këtë drejtim pasi organizatat kriminale nuk janë vetëm të armatosura që veprojnë nëpër rrugë por që punojnë dhe prapa ekraneve të kompjuterave.

Klan News