Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka akuzuar policinë shqiptare për skafin me 2.5 ton kanabis të kapur një ditë më parë në Itali. Gjatë një deklarate për mediat nga selia blu, Alibeaj u shpreh se skafi me drogë sfidoi policinë dhe radarët e Shqipërisë duke shkuar deri tek brigjet italiane, ku aty u kap nga Guarda di Finanza.

“Gomonia me 2.5 ton kanabis kalon nën hundën e policisë shqiptare dhe është kapur vetëm nga autoritetet italiane në brigjet italiane. kjo është e disata herë që mjetet lundruese të nisura nga Shqipëria me tonelata droge kapen nga Guarda di Finanza duke sfiduar policinë dhe radarët shqiptarë

“, tha deputeti demokrat.

Alibeaj akuzon Kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij për sasitë e mëdha të kanabisit që trafikohen nga vendi ynë.

“Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur ky vend qeveriset nga një Kryeministër që vëllai i të cilit është i përfshirë në trafik droge. Gomonia me 2.5 ton drogë kalon pa u ndaluar nga askush pasi ish-ministri i Brendshëm dhe e gjithë kupola e policisë u vu në shërbim të Habilajve. Kjo ndodh në këtë vend ku ministri i kapur në trafik droge mbrohet me kartonat e Ramës. Vet Edi Rama është koka e trafikut të drogës dhe krimit në Shqipëri

“, deklaroi deputeti i PD Enkelejd Alibeaj.

Një ditë më parë, policia italiane kapi një skaf me 2.5 ton kanabis sativa dhe arrestoi 4 shqiptarë. Sipas autoriteteve italiane, vlera e kësaj sasie droge shkon në 20 milionë Euro.

Deklarata e plotë e deputetit Enkelejd Alibeaj:

Kapja e një tjetër sasie rekord lënde narkotike nga Shqipëria në brigjet e Italisë, është një provë e fortë e lidhjes së qeverisë me trafikun e drogës.

Gomonia me 2.5 ton Canabis Sativa ka kaluar nën hundën e policisë shqiptare dhe para syve të radarëve, për t’u kapur vetëm nga autoritetet italiane të cilët prej kohësh janë në gadishmëri të plotë dhe në gjendje alarmi nga droga shqiptare.

Kjo është e disata herë që brenda pak kohësh mjetet lundruese të nisura nga Shqipëria nisen me tonelata drogë drejt Italisë dhe kapen nga Guardia di Financa duke sfiduar policinë dhe radarët shqiptarë .

Dhe në fakt nuk ka si ndodh ndryshe, kur vendi qeveriset nga një kryeministër vëllai i të cilit është i përfshirë direkt në trafikun e kokainës.

Kjo ndodh në vendin ku vëllai i ministrit të Brendshëm është i dënuar në Itali për trafik droge, por mbrohet nga qeveria dhe nuk ekstradohet për tu përballur me drejtësinë e vendit fqinj.

Gomonia me 2.5 ton drogë kalon pa u ndalur nga askush, pasi ish-ministri i brendshëm dhe e gjithë kupola e Policisë së Shtetit u vu në shërbim të kushërinjve Habilaj dhe ndihmonte avionët me Canabis Sativa të fluturonin të mbrojtur nga qeveria drejt Europës dhe sot janë të lirë ose të arratisur.

Kjo ndodh sepse ish-ministri i kapur në trafik droge, mbrohet me forcën e kartonit nga Rlindja dhe nuk i dorëzohet drejtësisë.

Ndërkohë që policia dhe prokuroria ende nuk kanë zbardhur të vërtetën e kokainës së Maminasit, dhe nuk kanë vënë në pranga asnjë prej pronarëve të vërtetë të 613 kg kokainë me vlerë 180 milionë euro, një tjetër sasi rekord kokaine është kapur në Spanjë.

Ndërsa Europa mbarë jep alarmin dhe I kërkon qeverisë të ndalë lumen e drogës shqiptare dhe kur Departamenti i Shetit na etiketon si vend tranzit I kokainës kolumbiane, qeveria shqiptare mbron Olsin, Agronin apo Saimirin të kapur në flagrancë si kokat e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Policia mbyll sytë para 2.5 tonëve drogë dhe mbron vëllezërit! Qeveria bëhet e verbër dhe nuk e sheh detin me drogë, sepse kryeministri Edi Rama është vetë koka e triadës së trafikut të drogës dhe krimit në Shqipëri. 

/tvklan.al