Kur stafi në kopshtin zoologjik të Dublinit zbuloi se “Mujur”, një orangutang femër, ishte shtatzënë ata vendosën që të organizoheshin për t’ mësuar asaj “prindërimin”.

“Mujur” 19-vjeçare nuk ishte lidhur mjaftueshëm me asnjë prej të vegjëlve të mëparshëm që kishte lindur, të cilët nuk kishin arritur të mbijetonin. Kur stafi mori vesh se ajo ishte shtatzënë në fillim të këtij viti ata angazhuan disa gra për t’i treguar asaj se si kujdesej një nënë për fëmijën e saj.

Lizzie Reeves është një mami, e cila është pjesë e ekipit të ushqyerjes me gji në Maternitetin Kombëtar në kryeqytetin e Irlandës. Ajo organizoi një listë me 30 nëna për të mësuar me radhë orangutangun speciet e të cilit janë në një rrezik të madh ekzistencial.

“Mujur ishte jashtëzakonisht e interesuar të shikonte gratë duke ushqyer foshnjat e tyre përmes xhamit, madje filloi të pasqyronte disa nga veprimet e tyre”, thuhet në deklaratën e kopshtit zoologjik.

Nora Murphy është një nënë e re, e cila shprehet se nuk ka për ta harruar kurrë këtë eksperiencë. Ajo tha se do i tregojë vajzës së saj kur të rritet historinë e një nëne të re, e cila u përpoq që të mësonte një nënë tjetër.

Si pjesë e shkollimit “Mujurit” iu shfaqën video të nënave të tjera orangutang duke ushqyer të vegjlit e tyre.

Kopshti zoologjik bëri të ditur se “Mujur” do të transferohet brenda disa javësh në një qendër në Dorset të Anglisë, e cila merret me kujdesin dhe rritjen e orangutangëve.

“I gjithë ekipi tashmë është dashuruar pa masë me të dhe do të jetë e vështirë t’i thuash lamtumirë, megjithatë ne jemi të sigurt se ajo po dërgohet në vendin më të mirë të mundshëm që lloji i saj të vazhdojë të zhvillohet dhe të lulëzojë,” tha kopshti zoologjik./tvklan.al