Kryeministri Kyriakos Mitsotakis i kërkon VMRO-DPMNE-së që të ndalojë provokimet dhe të respektojë plotësisht Marrëveshjen e Prespës që parashikon perdorimin e emrit “Maqedonia e Veriut”.

Gjatë një interviste për mediat greke, Mitsotakis paralajmëron se në të kundërt Shkupi do të përballet me probleme jo vetëm me Athinën, por edhe me Brukselin.

“Dëshiroj t’i dërgoj një mesazh paralajmërues qeverisë së re, të respektojë dispozitën qëndrore të Marrëveshjes së Prespës, të përdorë emrin e Maqedonisë së Veriut, përndryshe do të krijojë problem, jo në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe të Evropës dhe Maqedonisë së Veriut”.

E sa i përket raporteve me Brukselin, Mitsotakis përmend edhe bllokimin e rrugës së integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.

“Ajo që do të bëjmë me siguri është se nuk do të çojmë për ratifikim tre memorandumet që dalin nga marrëveshja. Dhe tani qëndrimi ynë për të vonuar këtë është plotësisht i justifikuar. Ne do ta bëjmë absolutisht të qartë se asnjë përparim në rrugën e gjatë të Shkupit drejt Evropës, nuk mund të arrihet pa respektimin absolut të marrëveshjes së Prespës për çështjen e emrit”.

Marrëdhëniet mes Athinës dhe Shkupit janë tensionuar ditët e fundit për shkak të qëndrimit që ka mbajtur fituesja e zgjedhjeve të dyfishta në Maqedoninë e Veriut për të mos njohur Marrëveshjen e Prespës të arritur mes të dyja vendeve.

Tv Klan