Operatorët turistikë në Divjakë po përgatiten për pritjen e një numri të madh turistësh gjatë sezonit veror. Megjithëse në 5 muajt e parë të 2024 nuk kanë të ndalur vizitat nga gjermanët, hollandezët spanjollët, anglezët dhe amerikanët, muajt në vijim pritet të 3-fishohet numri i turistëve.

Ky sezon pritet të jetë sfidë për çdo biznes që operon në Divjakë, ndaj për këtë qëllim ata kanë gjetur mënyra të reja për të argëtuar turistët. Guidat me makinat retro, kalërimet  nëpër pyll, xhirot me varka, vështrimi i zogjve janë disa nga paketat turistike të përgatitura nga bizneset e zonës.

Divjaka çeli zyrtarisht sezonin turistik nëpërmjet një feste të organizuar në parkun kombëtar të saj. Veshje tradicionale, gatime të zonës, biznese turistike, u ekspozuan në sheshin përpara kullës 360 gradë. E veçanta e gatimeve është fakti që të gjitha janë bërë me produktet e prodhuara nga tokat e Divjakës.

Një koncert me valle popullore myzeqare dhe këngëtarja Era Rusi mbyllën programin e çeljes zyrtare të sezonit turistik 2024.

Tv Klan