Dritan Nano dhe Dorian Alia u lanë në qeli pa afat si dy nga autorët e dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi disa ditë më parë në Tiranë. I pari dyshohet nga hetuesit si personi që ka kërkuar dhe organizuar dhunimin e avokatit dhe i dyti si një nga personat që ka vepruar në terren duke e goditur atë me grushte dhe përforcues grushti bashkë me 3 të tjerë të shpallur në kërkim.

Gjatë seancës, ata mohuan të ishin organizuar për të kryer sulmin fizik ndaj avokatit, teksa Alia tha se nuk kanë shkuar aty me këtë qëllim.  Edhe pse Policia i referoi materialet hetimore në ngarkim të tyre për akuzën e vrasjes së funksionarit publik të mbetur në tentativë, Prokuroria pas shqyrtimit dosjes, vendosi të regjistrojë hetimet për dy akuza të tjera.

Ndaj Nanos, Alias dhe 3 të shpallurve në kërkim, Drivaldo Alia, Elton Kasaj e Romario Tabaku rëndon akuza e plagosjes së rëndë me dashje dhe goditjes së prokurorit, gjyqtarit dhe çdo funksionari tjetër publik, kryer në bashkëpunim. Prej disa ditës, Policia e Tiranës ka vijuar me kërkimet në Tiranë dhe disa qytete të tjerë për 3 të arratisurit, por ende nuk është bërë i mundur lokalizimi i tyre.

Që prej 29 Majit, kur 3 persona e dhunuan në hyrje të kopshtit të fëmijhës,  avokati Sokol Mëngjesi, ndodhet në reanimacion dhe burimet thonë se ende nuk ka kaluar gjendjen kritike. Megjithatë gjendja e tij nuk ka pasur përkeqësim dhe të hënën grupi i mjekëve që po e trajton do të tentojë ta zgjojnë.

Tv Klan