Rikthehet muzika në sektorët e hotelerisë dhe argëtimit, pa kufizim

Prej 31 Janarit Greqia zbut masat antiCovid, në disa sektorë të rëndësishëm që deri më tani ishin të paralizuar, të tillë si sektorët e hoteleri-turizmit dhe argëtimit.

Kështu, nga e hëna muzika do të lejohet sërish në lokale, kafene dhe restorante dhe nuk do të ketë më mbyllje të detyrueshme në mesnatë të këtyre bizneseve.

Autoritetet greke bëjnë të ditur se për të shmangur grumbullimet do jetë i vlefshëm sërish urdhri që klientët e këtyre strukturave të lejohen vetëm të ulur në tryezat e caktuara me distance.

Kapaciteti prej 10% të vendeve në arenat sportive të brendshme dhe të jashtme, deri në një maksimum prej 1,000 spektatorësh do të vazhdojë të zbatohet, por një relaksim do të rishikohet në ditët në vijim.

Ministria e Shëndetësisë në shtetin grek ka vendosur gjithashtu të zgjasë vlefshmërinë e certifikatave të vaksinimit me një javë, deri në 7 Shkurt, për ata persona që nuk mund të merrnin dozat e radhës për shkak të bllokimit që shkaktoi dëbora javën e shkuar.

Masat e reja në Greqi do të vlejnë deri më 7 Shkurt në orën 6:00 të mëngjesit, më pas do ketë një rishikim të tyre nga autoritetet.

Klan News