Greqia rrit shërbimin ushtarak dhe bën “pazar” në Francë



Greqia rrit shërbimin ushtarak dhe bën “pazar” në Francë

10:02 22/01/2021

Greqia ka marrë një vendim të enjten që të zgjasë shërbimin ushtarak me 3 muaj. Kjo gjë u shpall nga ministri i Mbrojtjes, Nikos Panagiotopoulos dhe i është prezantuar kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.

Prandaj që nga Maji i këtij viti, shërbimi në ushtrinë greke do të rritet nga 9 muaj në 12 muaj. Kjo periudhë 1-vjeçare ekziston për ata që shërbejnë në Marinë dhe Forcën Ajrore.

Vendimi do të prekë edhe kategori të tjera të ushtrisë greke. Ata që shërbejnë me kohë të pjesshme do të shërbejnë me 2 muaj më shumë, pra nga 6 deri në 8 muaj. Ushtarët rezervistë do të shërbejnë gjithashtu me 3 muaj shtesë (nga 14 deri në 17 muaj).

Gjithashtu ministri grek ka biseduar me homologun e tij francez, Florence Parley, i cili do të vizitojë Athinën të hënën e ardhshme. Mes dy vendeve do të nënshkruhet një kontratë për marrjen e 18 avionëve luftarakë Rafale. Po ashtu, ministri francez ka propozuar që Greqia të blejë 4 frigata dhe një anije.

Ky vendim i Greqisë vjen pas tensioneve me Turqinë në lidhje me ujërat territorialë në Mesdheun Lindor. Dy palët kanë vendosur që të nisin bisedimet teknike, ndërkohë që Athina ka dërguar një mesazh në lidhje me qëllimin e vërtetë të kontakteve që priten të vendosen të hënën.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Alexandros Papaioannou, tha se, “nuk bëhet fjalë për negociata, por për kontakte. Mes palëve nuk janë ndërmarrë angazhime apo detyrime. Asnjë palë e tretë nuk është përfshirë. Nuk ka përditësime për përmbajtjen e kontakteve kërkimore”.

Sipas zëdhënësit ekziston mundësia që nëse mes palëve nuk ka marrëveshje të shkohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Kujtojmë që Shqipëria dhe Greqia kanë marrë vendimin që t’i drejtohen gjykatës në lidhje me përcaktimin e kufijve detarë./tvklan.al






Të ngjashme