Norvegjezi realizoi dy golat e triumfit në transfertë kundër West Ham, në një ndeshje që u dominua nga “Qytetarët”

Mançester Siti e nisi me fitore sezonin e ri të Premier Ligës. Protagonist i suksesit ishte blerja e re Erling Haland, i cili realizoi dy golat e fitores kundër Uest Hemit.

“Qytetarët” shfaqën forcën e tyre në sfidën në transfertë, duke treguar se do të luftojnë fort për të mbrojtur titullin.

Siti e kishte dominuar takimin në 35 minutat e para të lojës, por nuk kishte arritur që të gjente golin. Nëntë minuta nga fundi i pjesës së parë, 22-vjeçari norvegjez mori një penallti që e ktheu në gol.

Në të 65’, Haland ktheu në gol një asist të De Brynes.

Uest Hemi u përqendrua në prapavijë në këtë takim, por nuk ia doli që të bllokonte miqtë. Vendasit e patën të vështirë që të kërcënonin portën kundërshtare.

Edhe pse protagonist i kësaj fitoreje është norvegjezi, suksesi erdhi edhe falë futbollistëve të tjerë të ekipit, që ishin të pagabueshëm.

Shqetësimi i vetëm për skuadrën e drejtuar nga Pep Guardiola ishte në minutat e para të lojës, por më pas Uest Hemi nuk ishte më i rrezikshëm.

Klan News