Pas taksës 100% për importet serbe dhe boshnjake, BE dhe Kosova përplasen sërish. Mollë sherri këtë herë u bë statuti i Trepçës, që pretendohet si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi. Në një intervistë për mediat serbe, zëdhënësja e BE, Maja Koçijançiç, tha se kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogu.

“BE, si ndërmjetësues në dialog, synon të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura midis palëve njëherë e përgjithmonë nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme, për një normalizim gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë”.

Por këto deklarata që shtrojnë një temë të panegociueshme për Prishtinën, ngjallën reagimin e ashpër të Kryeminstrit Ramush Haradinaj.

“Reagimi i BE-së kundër miratimit të statutit të Trepçës nga Kuvendi i Republikës së Kosovës është dëshmi se BE-së i ka humbur rruga në oborr. Deklarata e zëdhënëses së Komisionit Europian, Maja Koçijançiç, dhënë mediave serbe, se Trepça duhet të jetë pjesë e dialogut është qëndrim i paprecedent, i papranueshëm dhe si i tillë cënon sovranitetin e shtetit të Kosovës”.

Kjo është hera e dytë në më pak se dy muaj që Haradinaj përplaset me Brukselin. Në muajin Dhjetor, pas bllokimit të procesit të Stabilizim-Asociimit nga Komisioni Europian, Kryeministri kosovar tha se shefja e diplomacisë Federica Mogherini e ka humbur besueshmërinë në rolin e ndërmjetësuesit.

Tv Klan