Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto i sheh edhe si përgjegjësi të Policisë së Shtetit aksidentet e rënda rrugore që kanë ndodhur dy javët e fundit në vend.

Duke folur nga Kukësi, ku inspektoi disa punime që po kryhen në Rrugën e Kombit, ai tha se për t’i parandaluar aksidente të tilla ka nevojë për forcimin e policimit në rrugë.

“Çështja e sigurisë rrugore është padiskutim çështje e standardit të rrugës, investimeve që bëhen në të, por jo vetëm. Është gjithashtu një çështje e policimit të rrugëve dhe besoj se ka nevojë për forcimin e policimit të rrugëve. Është gjithashtu çështje e cilësisë dhe kontrollit të procesit të dhënies së lejeve të drejtimit, pra është një çështje e edukimit”.

Ministri tha gjithashtu se përmirësimi i Sinjalistikës Rrugore e ka ulur numrin e aksidenteve të rënda dhe se përmirësimi i standardeve të rrugës i bën drejtuesit e automjeteve të ecin më shpejt.

“Në fakt shifrat janë shumë të qarta që sinjalistika ka ndikuar në uljen e aksidenteve me vdekshmëri. Por në disa segmente, siç e thatë edhe ju, ka patur aksidente të rënda. Mendoj se arsyet se për këtë janë se përmirësimi i standardit të rrugëve mund t’i motivojë njerëzit të ecin më shpejt dhe të injorojnë detyrimet që kanë ndaj atij segmeti rrugor në drejtim të shpejtësisë apo rregullave të qarkullimit. Dhe kjo nuk duhet të ndodhë”. 

Në aksidentin e ndodhur dy javë më parë në autostradën Plepa – Rrogozhinë, ku humbën jetën dy fëmijë, Prokuroria që nisi një hetim penal kryesisht, tha se nëse barrierat mbrojtëse do të ishin vënë, siç kishte vendosur Gjykata e Apelit Administrativ me vendim të formës së prerë Korrikun e vitit 2014, pasojat do të kishin qenë më të vogla.

Ndërsa për aksidentin e ndodhur këtë të shtunë, në aksin Plepa – Shkozet, policia nisi procedimin penal ndaj administratorit të firmës që ka fituar tenderin e mirëmbajtjes së rrugës, për shkak se barrierat mbrojtëse ishin jashtë standardeve.

Tv Klan