Edmond Haxhinasto largohet nga qeveria. Me anë të një letre, ai i ka paraqitur dorëheqjen Kryeministrit Rama, dorëheqje që është firmosur menjëherë nga kreu i qeverisë.

Vendin e tij në Ministrin e Transporteve do ta zerë Sokol Dervishaj, i cili deri ditën e sotme ka mbajtur detyrën e Shefit të Kabinetit të Kryetarit të parlamentit, Ilir Meta.

Motivacioni që paraqiti zytarisht Haxhinasto për dorëheqjen ishte ai i impenjimeve partiake në prag të Koventës Kombëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku Haxhinasto do të angazhohet me hartimin e programit politik dhe elektoral.

Por largimi i tij vjen pas një sërë dështimesh e skandalesh në Ministrinë e Transporteve dhe institucionet në vartësi të saj.

Rruga Elbasan – Tiranë, edhe pse në 2013 ishte përfunduar në afro 60 % të volumit të projektit, ende nuk ka përfunduar.

Edmond Haxhinasto pati premtuar disa herë publikisht disa afate për përfundimin e saj, të cilat u shkelën në të gjitha rastet.

Edhe projekti tjetër Korçë – Ersekë ka mbetur në mëshirë të fatit, në 3 vitet e drejtimit të Ministrisë së Transporteve nga Haxhinasto.

Aksidentet rrugore, për shkak të mungesës së sigurisë në infrastrukturën rrugore, numërohet me qindra në këto 3 vite.

Haxhinasto nuk mori asnjë masë ndaj Drejtorit të Autoritetit Rrugor, Dashamir Xhika, kur Televizioni Klan zbuloi se ai kishte shkelur një vendim të formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit, për të vendosur parmakët mbrojtës në një segment të autostradës Plepa – Rrogozhinë, në të cilin, si pasojë e këtij veprimi nga ana e tij, u vranë në një aksident rrugor dy fëmijë.

Një tjetër dështim është ndërhyrja e Ministrisë së Transporteve për të ulur çmimet e biletave në rinegocimin e kontratës koncesionare me aeroportin e Rinasit.

5 muaj nga marrëveshja, shqiptarët vijojnë të paguajnë çmime stratosferike. Në 5 muaj, Ministria e Transporteve nuk bëri asgjë për të vënë në punë aeroportin e Kukësit.

Haxhinasto është Ministri i 2 nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim që jep dorëheqjen. Vjeshtën e një viti më parë u largua Nasip Naço, nga Ministria e Drejtësisë.

Televizioni Klan ka mësuar se largimi i Haxhinastos do të pasohet me ndryshime të tjera në kabinetin qeveritar.

Tv Klan