Partia Demokratike kërkoi që situata me helmimet në Krujë të diskutohej në Kuvend, por deputetët e mazhorancës votuan kundër, duke thënë se duhet pritur informacion i plotë nga autoritetet në lidhje me ngjarjen. Kjo ka bërë që nënkryetari i PD-së, Enkelejd Alibeaj, dhe deputetja e Krujës, Merita Bakiu, të dalin në një prononcim për mediat në ambientet e jashtme të Kuvendit. Bakiu tha se përgjegjës për këtë situatë është kryetari i Bashkisë, Artur Bushi, i cili sipas saj duhet të japë dorëheqjen

“Ka plot 5 ditë që Kruja është në krizë të tmerrshme. Janë më shumë se 1200 raste që qytetarët marrin ndihmë për shkak të ujit të kontaminuar. Ka edhe shumë banorë që po marrim trajtime në ambientet e shtëpisë. Shqetësuese është edhe furnizimi me ujë. Kjo i ka çuar qytetarët në një krizë tjetër përveç asaj që po ndodh. Qeveria ka reaguar  pas 3 ditësh, kur filluan mediat, presionet politike dhe problematikat e njerëzve. Atëherë erdhi ministrja kur tha se kemi çështjen në kontroll. Jemi të shqetësuar për situatën. Kryetari i Bashkisë, Artur Bushi duhet të japë dorëheqjen. Ai është përgjegjës kryesor për helmimin masiv të krutanëve. Në përgjigjet që kanë ardhur jozyrtare mendohet që është kontaminimi i ujit”, tha Bakiu.

Ndërkohë Alibeaj tha se çështja duhej diskutuar në parlament pasi është urgjente. Ai u shpreh se kemi të bëjmë me një krim masiv dhe se duhen gjetur përgjegjësit.

“Nuk kemi kërkuar dhe s’kemi kur kërkojmë sot interpelancë. Fatkeqësia ka ndodhur sot, njerëzit sot po vuajnë. Ndihma dhe asistenca duhet bërë sot dhe jo me kalimin e kohës. Vetëm nga këmbëngulja e PD, nga prania jonë e vazhdueshme në Krujë, institucionet po lëvizin nga një këmbë për të nxjerrë përgjegjësit. Ky është një krim masiv”, tha Alibeaj./tvklan.al