Partia Demokratike ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që hoqi kandidatët që ndodheshin në fund të listës së koalicionit të udhëhequr nga PD.

Në një reagim dërguar mediave, selia blu thotë se ky vendim është ndikuar nga interesa të mazhorancës.

Edhe pse numri i kandidatëve në listën e PD tejkalonte atë të përcaktuar nga KQZ, opozita thotë se ata kandidatë përfaqësojnë shtresa të ndryshme të popullsisë.

Partia Demokratike ka bërë me dije se këtë vendim të KQZ do ta apelojnë.

Vendimi i sotëm i KQZ për mosregjistrimin e plotë të listave të koalicionit është një vendim i padrejtë dhe i paligjshëm, i diktuar nga interesat politike të mazhorancës. Pasi ndryshoi rregullat e lojës në mënyrë të njëanshme, mazhoranca synon të imponojë rregulla të tjera, të cilat pamundësojnë përfaqësimin e plotë dhe të drejtë të të gjitha partive përbërëse të koalicionit tonë. Këto rregulla të njëanshme synojnë që të lënë të lënë të papërfaqësuara parti të cilat përfaqësojnë shtresa të ndryshme shoqërore dhe komunitete të caktuara, veçanërisht minoritetet. Asnjë vendimarrje e tillë nuk ka për të penguar koalicionin tonë që të garojë me potencialin e tij të plotë, njerëzor dhe programor. Kjo vendimarrje, si të gjitha vendimmarrjet e padrejta, do të ankimohet menjëherë nga ana jonë në të gjitha shkallët ankimore. Asgjë nuk do të na ndalojë të sjellim ndryshimin në Shqipëri me njerëzit tanë të mrekullueshëm, që kanë nevojë dhe e duan kaq shumë ndryshimin! Ne do ta bëjmë të mundur këtë në datën 25 Prill me ndihmën e të gjithë shqiptarëve”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike. /tvklan.al