Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të BE për të hequr kufizimet e udhëtimeve me Shqipërinë. Rama thotë se ky është lajmi që prisnim dhe se Shqipëria nuk do të ndalet më në rrugën drejt majës.

“Lajmi që prisni. Bashkimi Europian ka hequr kufizimet e udhëtimit për udhëtarët nga tetë vende dhe territore jashtë BE, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Ia dolëm edhe kësaj sfide, sepse ne, Shqipëria, nuk ndalemi më në ngjitjen tonë drejt majës ku e meritojnë fëmijët tanë”, shkruan Rama.

Bashkimi Europian hapi më në fund dyert për turistët shqiptarë, të mbyllura prej më shumë se 1 viti pandemie të koronavirusit. Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të unionit miratuan këtë të Mërkurë, përfshirjen e Shqipërisë dhe dy vendeve të tjera të rajonit, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në listën e vendeve, qytetarët e të cilëve lejohet të hyjnë për udhëtime jo-esenciale në hapësirën e përbashkët.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi brenda pak ditësh. Megjithatë, mediat shkruajnë se vende të ndryshme të BE-së mund të kenë kërkesa specifike shtesë për udhëtarët nga Shqipëria dhe vendet e tjera jo anëtare. Mund të kërkojnë testin e 72-orëve të fundit që dëshmon se nuk janë të infektuar ose edhe karantinë disa-ditore./tvklan.al