Hetimet për Gjergj Bojaxhi, i cili dyshohet nga policia se ka pastruar miliona dollarë nëpërpmejt kompanisë së tij të naftës “Everest Oil” do të shtrihen edhe në financimin e fushatës.

Dyshohet se ish –zëvendësministri i ekonomisë dhe ish drejtori i KESH dhe INUK, ka financuar fushatën e tij për kreun e Bashkisë së Tiranës në zgjedhje e lokale të 2015 me paratë e kompanisë “Everest Oil”.

Në listën e emrave që ka financuar fushatën e Bojaxhit është dhe Misela Dervishi.

Në vitin 2014, pak muaj përpara se të shpallet kandidaturën e tij për të drejtuar bashkinë e Tiranë, Bojaxhi e ka emëruar Dervishin si përfaqësuese të posaçme dhe i jep të drejtë për të kryer transferta nga të gjitha llogaritë e “EVEREST OIL” sh.a pranë një banke të nivelit të dytë. Gjithashtu, përfaqësuesja ka të drejtë të nënshkruajë çdo lloj dokumenti që nevojitet apo do t’i kërkohet, për kryerjen e çdo veprimi, për realizimin e të drejtave të dhëna, sipas autorizimit në permbatje të kësaj prokure.

Por emri i Dervishit ndodhet në listën e personave që financuan fushatën e Bojaxhiu në qershor të vitit të kaluar.

Kjo dyshohet të jetë një ndër skemat që Bojaxhi ka përdorur për të futur një pjesë të parave të “Everest Oil” në fushatën e tij.

Një tjetër fakt është delegimi i transfertave bankare nga Bojaxhi te Misela Dervishi, pasi Bojaxhi kishte kryer thuajse 26 milionë euro transferta në llogaritë e “Everest Oil” nga viti 2012.

Këto transferta janë pjesë e hetimit të prokurorisë.

“Everest Oil” u regjistrua në vitin 2012, por në pak muaj qarkulloi 29 milion dollarë.

Nën verikfikim nga prokuroria është edhe lëvizja e vjehrrës së Bojaxhiut, Lumturi Hasmataj që ishte aksionere “Everest Oil” dhe i shiti aksionet vetëm per 26 mijë euro, ndërkohë që vetëm nga shpërndarja e fitimit të kompanisë për vitin 2014 ajo ka përfituar 430 mijë euro, çka për policinë konsiderohet një veprim i dyshimte i lidhur me zinxhirin e skemës se pastrimit të parave.

Tv Klan