Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u vu në pranga ditën e sotme me kërkesë të SPAK pas hetimeve që kreu për koncensionin e inceneratorit të Elbasanit.

Në lidhje me këtë ngjarje, gazetari Artan Hoxha dha detaje që nga mënyra si u arrestua Koka, por edhe bisedën me vëllain e ish-ministrit. Megjithatë sipas Hoxhës, dosja për të cilën u arrestua Koka është një nga tre dosjet e mëdha që ka SPAK.

Gazetari shkoi më tej duke thënë se nëse çohen deri në fund këto dosje mund të ndryshojnë elitën politike.

“Për mua kjo është një nga tre dosjet e mëdha që ka SPAK të cilat nëse çohen deri në fund mund të bëjnë atë që s’kemi bërë këto 30 vjet, mund të ndryshojnë elitën politike. Kjo dosje ka edhe një përfshirje, përveç një hetimi të SPAK, ka pasur edhe presion politik. Ka qenë kauzë e opozitës para zgjedhjeve. Ka qenë një kauzë goxha e madhe. Kam shpresuar që SPAK të vepronte para zgjedhjeve. Kam bindjen që do të kishte ndikim edhe në zgjedhje nëse do të vepronte para zgjedhjeve. U zgjodh kjo kohë, është pjesë e SPAK, nuk e di pse u zgjodh kjo kohë”, tha Hoxha.

Sipas gazetarit, “hanxhari” në këtë çështje ka shkuar në mes të zinxhirit pasi “Ka edhe poshtë tij, por ka edhe sipër tij”.

“Padyshim që në Shqipëri jo çdo ditë arrestohen ministra. Ministri i fundit që shkoi kokë turku ishte kokë greku, ishte Spiro Ksera.ai shkoi kokë turku. Në rastin konkret zoti Koka, në këtë histori pa diskutim nuk është koka për mua e gjithë kësaj historie. Për mua hanxhari ka shkuar diku në mes të zinxhirit. Ka edhe poshtë tij, por ka edhe sipër tij. Është vënë një shtet në rresht. Janë 3 inceneratorë, janë të paktën 178 milionë Euro në valle, pra ka patur para për të gjithë”./tvklan.al