Bordi vendos një ulje të lehtë në krahasim me 3 javë më parë

Caktohen çmimet e reja për 4 produktet e shportës, vajin, sheqerin, orizin dhe miellin. Sipas bordit të transparencës për monitorimin e çmimeve në treg, një litër vaj do të tregtohet jo më shumë se 321 Lekë/Litër po ashtu një kg miell nuk do tregtohet më shumë se 90,5 Lekë për kg.

Ndërsa çmimi tavan për sheqerin do të jetë jo më shumë se 123lekë/kg dhe i orizit kokërrgjatë jo më shumë se 104 Lekë/kg.

Nëse përpara ngritje së bordit të transparencës një kg miell arriti deri në 150 Lekë, duket se Akti Normativ ka dhënë efekte për uljen e çmimit për konsumatorët shqiptarë. Para afro 3 javësh, çmimet e këtyre produkteve ishin deri 50 Lekë më shumë në treg. Ulja më e madhe është bërë për miellin dhe vajin.

Gjithashtu  Bordi  i Transparencës vendosi miratimin e marzheve të fitimit që do të aplikohen për disa produkte ushqimore bazë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar nga rritja e çmimeve ndërkombëtare.

Çmimet e produkteve të shportës do të monitorohen çdo javë nga bordi i Transparencës për të mos abuzuar me çmimet në treg.

Në rast të mosrespektimit të marzhit të fitimit të vendosur nga Bordi për produktet ushqimore bazë dhe produktet e tjera të lidhura me to, subjektet e tregtimit me shumicë të produkteve ushqimore do të gjobiten në masën 10 ( dhjetë) milionë Lekë.

Ndërsa subjektet tregtare me pakicë do të gjobiten me masën 2 mln Lekë.

Tv Klan