“I dashur armik”, filmi më i ri i regjisorit Gjergj Xhuvani ka kaluar me sukses provën e tij për mediat shqiptare. I prezantuar premier sot para gazetarëve  filmi është dalluar për lojën e shkëlqyer të aktorëve qoftë shqiptarë edhe të huaj.

Skenari tepër i goditur i cili është bazuar mbi një histori të vërtetë dhe gjetje regjisoriale, tipike tashmë për regjisorin Xhuvani si drama njerëzore të përshkruara me nota komike dhe tragjike në tërë njëjtën kohë, bënë që filmi të vinte mjaft natyrshëm te publiku.

Realizimi i tij ka kushtuar plotë 1 milionë e 200.000 euro, një shumë kjo e konsiderueshme për tregun e filmave në Shqipëri, por nga sa duket nga ky impakt i parë me mediat ai e ka arritur qëllimin e tij.

Gjergj Xhuvani: Problemi i këtyre alternimeve të kulturave, vjen si rezultat i një të vërtete jetësore, ta cilat kanë ekzistuar për hir të së vërtetës, kanë ekzistuar dhe vetëkuptohet dhe një arsye që jo pa qëllim unë insistova bashkë me produksionin që këto personazhe të interpretohen me aktorë që vijnë nga vendet e tyre përkatëse, sepse dashur pa dashur mënyra e komportimit të tij e sjell këtë lloj atmosfere, këtë lloj përzierje kulturash.

Personazhi kryesor i filmit është Harun Bonataj, një tregtar  i cili interpretohet nga i mirënjohuri i skenës dhe i ekranit shqiptar Ndriçim Xhepa që në këtë film interpreton përkrah nënës së tij, Margarita Xhepa, ajo është edhe boshti kryesor i filmit, pas të cilit kapen të gjithë personazhet e tjerë që ai strehon në shtëpinë e tij.

 Vetë Ndriçimi pasi e ka ndjekur për herë të par filmin së bashku me gazetarët, nuk nguron ta quajë këtë personazh si një nga rolet më të spikatura të karrierës së tij artistike.

Ndriçim Xhepa: Mund të kesh ndonjëherë personazhe interesantë që në pamje të jashtëm të jenë spekulativ. Kurse për mendimin më të vërtet dhe më me vlerë janë ato personazhe që përmbajnë dhe reflektojnë një natyrë, një gjë që i ngelet kohës.

Në këtë kuadër unë them që Haruni edhe për vetë temën që trajtohet  dhe për filmin, për peshën dhe vlerën që ka filmi them se edhe Haruni bashkë me filmin do të ngelet te rolet ndoshta më me vlerë të miat.

Po përveç aktorëve të huaj dhe bashkëpunimeve të reja të Xhuvanit, në këtë film ky regjisor duket se nuk ka nguruar të punojë gati me të njëjtin ekip aktorësh me të cilët prezantuan mjaft suksesshëm në filmin “Parullat” . Luiza Xhuvani, Birçe Hasko, Agim Qirjaqi, Niko Kanxheri etj., janë vetëm disa nga emrat me të cilët Xhuvani ka gjetur sërish bashkëpunim.

Birçe Hasko: Filmi së pari ka një atmosferë të shkëlqyer të kohës,  ka një harmoni në lojën e aktorëve. Do ta thosha më shkurtë çdo personazh bën jetën e vetë.

 Ky film do të fillojë të shfaqet për publikun nga data 28 Prill në Kinema Milenium 2 në Tiranë./tvklan.al