Seanca e ndërmjetësimit të “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan kësaj here pati një rast disi më të veçantë. Dy personat që u vendosën përballë njëri-tjetrit janë nga Drenasi i Kosovës, Agoni dhe Bekimi. Ky i fundit jeton në Zvicër, ku merret me shitje automjetesh.

Agon: Kam një hall të madh me këtë zotërinë përpara jush.

Bekim: Çfarë halli ke me mua more zotëri?

Agon: Zotëri… veturën e kam blerë prej këtij zotërisë, i kam dërguar kaparin nga Kosova në Zvicër, ky më thotë “e kam shitur makinën” , ndërkohë që kisha bërë pazar.

Bekim: Makinën e nxora në Facebook për ta shitur dhe janë ofruar shumë persona.

Agon: Kaparin ta kam dërguar, nga Kosova në Zvicër.

Eni Çobani: Si normalisht, kur diçka del në Facebook, lajmërohen shumë njerëz. Kishit një mjet për të shitur apo jo? Dhe në këtë moment ju ka shkruar edhe zoti Agon. Po, dhe ju ka shkruar që po ju çoj edhe një kapar.

Agon: Po, unë e njihja edhe më herët këtë zotërinë. E kemi bërë më fjalë, makina është në rregull më tha…

Bekim: Makinën e kam shitur në Zvicër, ia kam shitur një këngëtareje nga Korça, e quajtur me emrin Blerina Zgjana dhe djalit të saj, Emra Morova.

Eni Çobani: Ku ishte këngëtare kjo, në Korçë?

Bekim: Është në Zvicër, këndonte në lokalet e natës.

Agon: Ia kam blerë makinën më shtrenjtë, ka shkuar e ka shitur edhe më lirë e tani bën dallavere, thotë “nuk m’i ka dhënë paratë”. Mundet të më shpjegohet si shitet makina kur unë i kam dërguar kaparin?

Në një sqarim të mëtejshëm, Bekimi sqaron se makina ka ardhur në Shqipëri për zonjën në fjalë, e cila ka paguar 10 mijë franga, ndërsa Agonit ia kishte ofruar me 12 mijë. Mjeti nuk është zhdoganuar pasi duhej të paguante kosto ekstra. Ndërkohë Agoni refuzon të pranojë para mbrapsht, ai kërkon makinën sepse thotë se njerëzit që ai njeh mendojnë se e ka blerë dhe nuk dëshiron të jetë objekt i opinioneve të tyre./tvklan.al