Para Gjykatës së Krimeve të Rënda i penduari i dosjes së “Lazaratit”, Elson Kazma ka mohuar dëshminë dhënë gjatë hetimeve paraprake. Mbi dëshminë e tij, Prokuroria ngriti akuzat për 11 banorë të Lazaratit, që akuzohen për sulmin ndaj policisë në Qershor të 2015, ku mbeti i vrarë oficeri i RENEA-s, Ibrahim Basha.

I riu ka sqaruar para togave të zeza se pas ngjarjes, ai është dhunuar në Policinë e Gjirokastrës, ku e detyrua të firmosë një deklaratë që ai nuk e ka dhënë asnjëherë. E gjithë kjo, sipas Elson Kazmës ka ndodhur në prani të ish-prokurorit të kësaj çështje Anton Martini, i cili u transferua në Shkodër disa javë më parë.

Pas këtij momenti Prokuroria ka lexuar dëshminë që Kazma ka dhënë në hetimin paraprak. Sipas saj, organizator i sulmit ishte Arbjon Aliko, ndërsa armët i gjetën në shtëpitë e braktisura në fshat.

Më pas u organizuan duke qëlluar në drejtim të policisë ku mbeti i vrarë 31-vjeçari Basha. Leximi i dëshmisë ka shërbyer si moment shkëmbimi batutash mes prokurorit dhe të pandehurve.

Elson Kazma u tha prokurorëve se janë regjisorë të mëdhenj. Ndërsa Arbjon Aliko u shpreh se e kanë bërë si aktori i njohur i filmave aksion Silvester Stalone. Gjykata do të vazhdojë dhe me marrjen në pyetje të të pandehurve të tjerë.

Tv Klan